|
|
Turizmi nė PejėHistoria e vjetër e qytetit, potencialet dhe pasurit e shumta kulturore dhe ato natyrore me të cilat disponon komuna e Pejës si dhe pozita gjeografike dhe lidhjet rrugore që i ka me shtetet tjera, ka mundësuar që Peja të ketë një zhvillimin të hershëm të turizmit. Në kohërat më të hershme, në Pejë flitet për një zhvillim të turizmit transit. Meqenëse Peja gjithmonë ka qenë rrugë lidhëse në mes të vendeve të ndryshme (Pejë – Qakor - bregdeti Adriatik) çka ka ndikuar që Peja të jetë pikë pritëse dhe pushimi të kalimtarëve, prandaj edhe zhvillimin i turizmit është parë një ndër alternativat më të mira për zhvillim ekonomik të vendit.
Turizmi në komunën e Pejës zë fill qysh në kohërat Iliro-Dardane,që në atë kohë burimet e ujërave termale në Ilixhe(banjën e Pejës)janë shfrytëzuar nga shumë njerëz për shërimin e sëmundjeve të ndryshme që kanë ardhur nga vendet e ndryshme, e këtë mund ta përkufizojmë edhe me një ngritje apo lulëzim të turizmit shëndetësor, e që edhe në ditët e sotme këto ujëra shfrytëzohen për të njëjtën çështje, ndërsa, tani ekziston një infrastrukturë mjaft e mirë turistike në këtë vend e cila është e njoftur .
Më vonë, me paraqitjen e kërkesave të mëdha turistike dhe rendësin e turizmit, në këtë vend filluan të ndërtohen “Konaqet dhe Hanet” të cilat kanë shërbyer si vende akomoduese për vizitorët të cilët kanë qëndruar në Pejë.
Më vonë në komunën e Pejës u ndërtuan objekte të ndryshme hoteliere , në vitin 1929 hotel Korza , pastaj kampi Karagaq që shfrytëzohej nga turistët transit nga viset e ndryshme të Evropës , hotel Metohija (tani Royal Ardarei), motel Karagaq dhe Nora të cilat kapacitete shërbenin në ngritjen e ofertës turistike të komunës.
Në regjionin e bjeshkëve të Nemuna kanë ekzistuar kapacitetet turistike(shtëpia malore në Bjellu , vendet akomoduese në fshatin Boge dhe në bjeshkët e Lumëbardhit) me karakter sportive – relaksues .
Pasuria kulturore- territori i Pejës është i pasur me histori: gërmimet arkeologjike tregojnë se në këtë zonë ka qenë i pranishëm një qytetërim i organizuar që nga kohët e lashta. Vendet me interes më të madh janë: 10 zonat arkeologjike, 12 monumentet kristiane, 23 monumentet myslimane, 102 kulla, një tyrbe bektashiane, 9 mullinj. Me interes të madh në qytet është Çarshia e Vjetër, si motiv ambiental me veçori të veçantë për turizëm e cila është e ndarë në tri pjesë si:
Okoli,Çarshia e vjetër dhe pjesa tjetër nga Iliriana e cila ka dalje në qendrën zejtare.
Si vend me rëndësi këtu ka Okoli ku afër kësaj është “Çarshi xhamia e ndërtuar në vitin 1471 dhe njëherit është xhamia më e vjetër në këtë vend, ku brenda oborrit të sajë gjenden varri i Haxhi Zekës,Ali Pash Gusisë etj,pastaj është shatërvani,si dhe shumë dyqane tjera të artizanaleve. Kompleksi i Mullirit në qytetin e Pejës si motiv ambiental me veçori të veçantë për turizëm paraqitet Çarshia e Gjatë e cila është e ndarë në tri pjesë si:
Haxhi Zekës, Kompleksi i Konakut të Jashar Pashes, Hamami i Haxhi Beut, Kompleksi i Kullave. Kulla është një shtëpi e fortifikuar për t’u mbrojtur nga pushtuesit turq, që kanë dominuar në këtë pjesë të Evropës për 500 vjet.
Sendet arkeologjike të gjetura në Pejë, si fibula, gjilpëra, unaza, byzylykë, etj. tregojnë për historinë e gjatë të artizanatit lokal; sipas regjistrit të kadastrës më 1582 në qytetin e Pejës punonin 56 prodhime artizanale; periudha më e begatë është arritur në shekujt XVII e XIX. Prodhimet kryesore artizanale janë objekte në dru, monedha, mobile, qypa, mjete pune, instrumenta të traditës muzikore shqiptare si çiftelia, fyelli, djep për fëmije, veshje tradicionale, etj. Në Çarshi, qyteti i vjetër, në Pejë, edhe sot gjenden dyqane të artizanaleve të vjetra që përpunojnë argjendin, bakrin dhe hekurin, rrobaqepës, zdrukthëtare, farkëtare, etj.
Qyteti i vjetër i mbushur me histori, kulturë dhe traditë shqiptare është i rrethuar nga një pasuri e madhe natyrore si : Alpet Shqiptare dhe parku kombëtar me i bukur dhe më i madh i Kosovës. Gryka e Rugovës gjendet 3 km nga qendra e Pejës, dhe paraqet një pikë të rëndësishme për zhvillimin potencial të sektorit turistik; në Grykë kalon lumi Lumëbardhi i gjatë 56 km. Në Grykën e Rugovës janë të mundura vizitat e shpellave, ngjitjet në mal, kajak e kanoe. Pas 12 km Gryka e Rugovës hapet dhe shfaqen fshatrat e parë të Regjionit të Rugovës. Janë 14 fshatra në këtë regjion, shumë prej të cilëve ofrojnë prodhime lokale dhe mikpritje në shtëpitë rurale në të cilat mund të marrësh pjesë në aktivitetet e përditshme të fshatarëve, të hash ushqim të shëndetshëm si edhe të bësh ekskursione në këmbë ose me kalë në malet për rreth.
Duke ndjekur më pas rrugën, përgjatë saj gjenden restorante si edhe sipërfaqe të gjëra të gjelbërta, deri në fshatin Boge në zonën veriore të regjionit të Rugovës. Në këtë fshat bëhet turizëm malor (si në dimër ashtu edhe në verë). Ka edhe një piste për ski të gjate 1100 m, me një kapacitet prej 1000 skiatorë/orë. Nga këtu mund të vizitohet edhe fshati Haxhaj, burimet e ujit, pyje të mëdha e të mrekullueshme në të cilët mund edhe të bëhen kampingje. Më pas vjen Liqenati, në pjesën e majtë të lumit Lumbardhë, fshati me i pasur nga pikëpamja natyrore dhe më tërheqës në të gjithë regjionin e Bjeshkëve të Nemuna: ka një pozicion shumë të favorshëm për ski, ka një restorant prej 500 vendesh, një sallë për seminare dhe 6 shtëpiza të vogla për fjetje; është edhe restoranti Liqenati, në të cilin degustohen pjatat e kuzhinës lokale. Duke u nisur nga këtu mund të vizitohen edhe dy liqene në 1860 m mbi nivelin e detit, të arrihen majat e Marijashit dhe Gurit të Kuq (2522m) deri sa të arrihet, në pjesën më veriore të Bjeshkëve të Nemuna, në fshatin e Milishevcit, nga më të pasurit me florë e faunë dhe në fshatin Lumbardhë.
Si dukuri sidomos impresive gjeomorfologjike me atribute shumë të dukshme estetike dhe që ngjallin kuriozitet dallohen:
Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë, Shpella e Radavcit, kreshtat shkëmbore, Maja e Kopranikut. Këtu ekzistojnë kushte të përshtatshme jo vetëm klimatike, por edhe fizikogjeografike (komplekset e gjera të pyjeve dhe të livadheve, pasuria hidrografike, bukuritë natyrore etj.) ku mund të ndërtohen sanatoriume, qendra kurimi, rekreacioni dhe qendra për përgatitjen e sportistëve në lartësitë mbidetare.
Organizimi i parkut kombëtare në rajonin e Bjeshkëve të Nemuna është një hap i rëndësishëm në shfrytëzimin e organizuar optimal të mundësive potenciale të këtij rajoni.
Para luftës ekonomia turistike e Pejës shënon një rënie të zhvillimit të vet. Kapacitetet e vendosjes nuk shënojnë ngritje të kërkesave turistike, përkundrazi nëpër objektet hoteliere vendosen forca policore dhe punëtor tjerë të administratës shtetërore ..
Pasojat e luftës kanë lenë gjurmë edhe me të thella në shkatërrimin e objekteve kulturore me karakter historik, kulturor, fetar, ekonomik dhe turistik.
Pas luftës hetohet një tendencë e fillimit të konsolidimit të angazhimit konkret të subjekteve përgjegjëse në marrjen e masave paraprake programore në zhvillimin e turizmit.
Qëllimi kryesor, është që të ruhet kjo pasuri natyrore dhe të shfrytëzohet në mënyrë të organizuar dhe racionale, duke formuar fizionominë turistike të vendit me formimin e bazës materiale të qarkullimit turistik, si rrugët deri të vendet turistike dhe objekte për qëndrim më të gjatë të turistëve.
Duke bazuar në atë se Peja më rrethinë është njëra ndër qendrat me mundësi më të mëdha të zhvillimit te ekonomisë turistike në bazë të potencialit të resurseve për zhvillimin e turizmit që disponon si : Bjeshkët e Nemuna – Alpet shqiptare me bukuritë e veta natyrore me vlera të veta të larta ekologjike, gjeomorfologjike, me florën dhe faunën e saj shumë të pasur, me pejsazhin e jashtëzakonshëm të lokaliteteve, me lumenjtë dhe liqet (sytë e maleve), që paraqesin bukuritë natyrore atraktive të cilat janë të rralla në Evropë, si dhe numri shumë i madh i monumenteve kulturore dhe historike që ka Komuna e Pejës prej kohës parahistorike deri me sot . Komuna ka përpiluar Strategjinë e Zhvillimit ekonomik të saj në kuadër të së cilës prioritet i pare i është dhënë zhvillimit të turizmit, i cili do të jetë promotor i zhvillimit të degëve tjera të ekonomisë.
Në ditët e sotme komuna e Pejës ka fituar një emër të vërtet të destinacionit turistik.
Në planin zhvillimor hapësinor të komunës turizmi është paraqitur si prioritet për zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë, andaj edhe janë ndarë zonat turistike për zhvillim.
Komuna e Pejës ka identifikuar zhvillimin e këtyre llojeve të turizmit:
Turizmi malor ,Turizmi transit, Turizmi shëndetësor, Turizmi kulturor, Turizmi fshatar, Eko-turizmi dhe në këtë aspekt janë përpiluar projektet për zhvillimin e turizmit si:
Qendra turistike rekreative- sportive, Projekti për turizmin fshatar, Turizmi ndërkufitar ( hapja e pikës kufitare me Malin e Zi përmes Grykës së Rugovës ), Projekti për turizmin kulturor, Shtegu Ujëvara, Shtegu i biciklizmit. – Pejë – Radavc, Hulumtimi i shpellës – Gryka e Madhe ( Rugovë) , Hulumtimi i shpellës – Radavci ( Radavc ), Hapja e shtigjeve për ngjitje në shkëmbinj, Hapja e shtigjeve të hekurta Krijimi i eko-shtigjeve, Eko-muzeu, Markimi i shtigjeve malore , si dhe shumë projekte tjera që do të ndikojnë direkt në ngritjen dhe zhvillimin e turizmit dhe krijimin e ofertës turistike të Pejës.
Në bashkëpunim me donatorët e jashtëm është hap e zyra informative e turizmit e cila është e para në Kosovë për këtë lëmi, ku vizitorët apo turistët mund të marin informata rreth aktiviteteve dhe programet turistike që ofrohen nga vendasit, si dhe krijimi i Guidave malore të cilët mund ti udhëheqin turistët në mënyrë të organizuar.
Sot komuna e Pejës disponon me 8 hotele, 3 motele, numër të mjaftueshëm të restoranteve cilësore, 2 qendra sportive rekreative, 2 fshatra turistike,me infrastrukturë të përshtatshme turistike, 3 kampe si dhe shërbime tjera që janë të gatshme në çdo kohë për çdo turistë.
|